Regjistrohet rasti i parë i lisë së majmunëve këtë vit në Filipine, ende nuk dihet lloji
Filipinet kanë regjistruar një rast të ri të lisë së majmunëve në vend, i pari që nga dhjetoi i vitit të kaluar, tha të hënën Departamenti i Shëndetësisë, duke shtuar se ishte në pritje të rezultateve të testit para se ta përcaktonte llojin e virusit.
Pacienti është burrë 33-vjeçar filipinas që nuk ka histori udhëtimesh jashtë vendit, tha Departamenti i Shëndetësisë, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne jemi duke i pritur rezultatet e sekuencimit dhe do t’i përditësojmë të dhënat porsa ato të jenë në dispozicion” – tha zëdhënësi i këtij departamenti, Albert Domingo, kur u pyet për llojin e virusit.
Të mërkurën e javës së kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli linë e majmunëve emergjencë globale të shëndetit publik, që është shkalla më e lartë e vigjilencës, pas përhapjes së këtij virusi në Republikën Demokratike të Kongos dhe regjistrimit të rasteve edhe te vendet fqinje të këtij shteti afrikan.
Një formë e re e virusit ka nxitur shqetësim global, pasi duket se përhapet lehtë përmes kontaktit të ngushtë rutinor.
Një rast i variantit të ri u konfirmua të enjten në Suedi dhe ishte i lidhur me përhapjen e virusit në Afrikë, duke e paraqitur shenjën e parë të përhapjes së lisë së majmunëve jashtë Afrikës.
Pakistani të premten konfirmoi të paktën një rast të lisë së majmunëve te një pacient që ishte kthyer nga një shtet i Gjirit Persik, por autoritetet atje thanë se ende nuk e dinin se për cilin version të virusit bëhej fjalë.
Rasti i ri në Filipine është i dhjeti i konfirmuar në laborator që Departamenti i Shëndetësisë e ka regjistruar. Rasti i parë ishte regjistruar në korrik të vitit 2022./Nacionale