Real Madrid njofton largimin e Xabi Alonsos dhe emërimin e Álvaro Arbeloas trajner të ri - NACIONALE

Real Madrid njofton largimin e Xabi Alonsos dhe emërimin e Álvaro Arbeloas trajner të ri

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Real Madrid ka zyrtarizuar sot dy vendime të rëndësishme në krye të stafit teknik: largimin e Xabi Alonsos dhe emërimin e Álvaro Arbeloas si trajner i ri i ekipit të parë.

Në një komunikatë zyrtare, klubi madrilen njoftoi se Xabi Alonso dhe Real Madrid kanë arritur marrëveshje të ndërsjellë për t’i dhënë fund mandatit të tij si trajner. "Xabi Alonso gjithmonë do të mbajë me vete respektin dhe admirimin e të gjithë madridistëve, sepse ai është një legjendë e Real Madridit dhe gjithnjë i ka përfaqësuar vlerat e klubit tonë. Real Madrid do të jetë gjithmonë shtëpia e tij", thuhet në komunikatën e klubit, i cili njëkohësisht falënderoi Alonson dhe stafin e tij për punën dhe përkushtimin e treguar.

Vetëm pak minuta pas këtij njoftimi, Real Madrid bëri të ditur se Álvaro Arbeloa është emëruar trajner i ri i ekipit të parë. Klubi theksoi se ish-mbrojtësi madrilen e ka ndërtuar karrierën e tij si trajner brenda akademisë që nga viti 2020, duke drejtuar kategoritë e ndryshme të të rinjve.

Arbeloa ishte trajner i Castillas që prej qershorit 2025 dhe para kësaj kishte udhëhequr Infantil A, Cadete A dhe Juvenil A. Me Juvenil A ai arriti suksese të rëndësishme, përfshirë tripletën e sezonit 2022-2023 (Liga, Copa del Rey dhe Copa de Campeones), si edhe fitimin e Ligës në sezonin 2024-2025.

Si futbollist, Arbeloa mbrojti fanellën e Real Madridit nga viti 2009 deri në 2016, duke zhvilluar 238 ndeshje dhe duke fituar 8 trofe, përfshirë 2 Champions League dhe 2 Copa del Rey. Ai ishte gjithashtu pjesë e Spanjës historike që fitoi Botërorin 2010 dhe dy Evropianët 2008 dhe 2012.

Me këto ndryshime, Real Madrid hyn në një epokë të re teknike, duke besuar tek një trajner që vjen nga akademia dhe që njeh thellësisht filozofinë e klubit.

Lajme të ngjashme