Reagon Komuna e Prishtinës: Grumbullimi i punëtorëve të “Pastrimit” është i panevojshëm
Komuna e Prishtinës ka dalë me reagim pas grevës së nisur nga punëtorët e kompanisë “Pastrimi”.
Në një komunikatë për media, nga kryeqyteti është thënë se grumbullimi i punëtorëve para objektit të Komunës është i panevojshëm.
“Prandaj, përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithcka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm. Keqpërdorimi i tyre për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë” – thuhet në njoftim.
Tutje, Komuna e Prishtinës ka thënë se presin nga kompania që ta nënshkruajë kontratën.
“Siç ju kemi njoftuar, Kryeqyteti ka nënshkruar kontratën me Kompaninë Regjionale të Pastrimit, në vlerë prej 1.5 milion euro, për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet.
Presim nënshkrimin e kësaj kontrate edhe nga Kompania Regjionale “Pastrimi”, me qëllim që punëtorët t’i kthehen punës dhe angazhimit të tyre në Kryeqytet”.