Rasti në Lipjan, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari: Hetim të plotë dhe lllogaridhënie institucionale
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari ka kërkuar hetim të plotë për rastin në Lipjan, ku i riu Agon Zejnullahu ka vdekur në duar të Policisë së Kosovës.
Përmes një reagimi, ky institut ka bërë me dije se kjo ngjarje tragjike nuk mund të përfundojë vetëm me suspendimin dhe arrestimin e zyrtarëve policorë.
“Kjo ngjarje tragjike nuk mund të përfundojë vetëm me suspendimin dhe arrestimin e zyrtarëve policorë. Nuk mund të përkufizohet vetëm si çështje disiplinore dhe penale. Tragjedia e Lipjanit nuk duhet trajtuar si një rast i izoluar. Është edhe reflektim dhe sinjalizim i një simptome shqetësuese të policimit të shtetit, edhe si produkt i trimërimit të mendësisë së legjitimimit të dhunës në emër të sigurisë publike dhe, në anën tjetër, të një aparati të sigurisë i cili ka prirje të përdoret, çdo herë e më shumë, me metoda arbitrare, pa kontroll efektiv civil dhe pa transparencë të plotë publike”, është thënë në reagimin e institutit, duke ftuar institucionet që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme.
“Ftojmë institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin sa më parë vendime dhe veprime për ta mbajtur policinë në shërbim të qytetarit, demokracisë publike dhe sidomos dinjitetit njerëzor, si hallkë themelore të kontratës sociale midis individit dhe shtetit. Prandaj, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari kërkon urgjentisht: Hetim të plotë, të pavarur dhe transparent, lllogaridhënie institucionale. Pa drejtësi për Agon Zejnullahun nuk mund të ketë paqe shoqërore dhe siguri publike”, është thënë në reagim.