Rashiq tregon për presionin e Serbisë ndaj serbëve të Kosovës për të votuar Listën Serbe
Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka akuzuar Serbinë dhe Listën Serbe për ushtrim presioni ndaj serbëve të Kosovës gjatë zgjedhjeve.
Sipas tij, qytetarët janë përballur me largime nga puna, kërcënime, marrje në pyetje dhe forma të tjera të presionit psikologjik e fizik.
Rashiq tha se disa qytetarë janë mbajtur për orë të tëra në bodrume dhe janë detyruar të dëshmojnë mënyrën se si kanë votuar.
Ai hodhi poshtë akuzat e Listës Serbe për “inxhiniering politik”, duke thënë se ato përsëriten pas çdo procesi zgjedhor.
Sipas Rashiqit, qëllimi i këtyre veprimeve është dobësimi i institucioneve të Kosovës dhe përdorimi i serbëve si mjet presioni politik.
“Lista Serbe është vetëm një degë e SNS-it dhe e Partisë së Vuçiqit”, deklaroi ai për Ekonomia Online.
Ai shtoi se presionet kanë sjellë rritje të mbështetjes për subjektin e tij, pavarësisht, siç tha, fushatës së frikësimit.