Raportohet se Mogherini është njëra nga të arrestuarit në aksionin e policisë belge, dyshime “të forta” për korrupsion - NACIONALE

Raportohet se Mogherini është njëra nga të arrestuarit në aksionin e policisë belge, dyshime “të forta” për korrupsion

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Mëngjesin e së martës, policia belge kreu bastisje në zyrat e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Europian (EEAS), organi diplomatik i BE-së, në kuadër të një hetimi për mashtrim. Në të njëjtën operacion u kontrolluan edhe ambientet e Kolegjit të Evropës në Bruges, institucion që përfiton fonde nga institucionet e BE-së, raportoi Euronews.

Autoritetet belge kryen gjithashtu kërkime në banesa private në Belgjikë, ndërsa tre persona u ndaluan. Sipas Zyrës së Prokurorit Publik Europian (EPPO), bastisjet u kërkuan në kuadër të një hetimi për dyshime për mashtrim të lidhur me një projekt trajnimi të financuar nga BE-ja për diplomatët e rinj.

Në një deklaratë, EPPO tha se hetimi lidhet me Akademinë Diplomatike të Bashkimit Europian, një trajnim nëntëmujor për diplomatët e rinj, i cili iu dha Kolegjit të Evropës përmes një tenderi të BE-së gjatë viteve 2021–2022. Autoritetet po verifikojnë nëse EEAS ka shkelur rregullat e tenderimit duke ndarë informacione me Kolegjit para se projekti të jepej zyrtarisht.

“Ne mund të konfirmojmë se policia ishte sot në godinën e EEAS,” tha një zëdhënës i BE-së të martën, duke saktësuar se hetimi lidhet me veprimtari që kanë ndodhur “në mandatin e mëparshëm.” Ai nuk pranoi të komentojë nëse tre të ndaluarit janë zyrtarë të BE-së.

Rektore e Kolegjit të Evropës është aktualisht Federica Mogherini, e cila drejtoi EEAS-in nga viti 2014 deri në 2019. Pas saj erdhën Josep Borrell dhe, që prej dhjetorit 2024, Kaja Kallas.

Në deklaratën e saj, EPPO theksoi se ka “dyshime të forta” se rregullat e BE-së për “konkurrencë të ndershme” janë shkelur dhe se “informacion konfidencial lidhur me prokurimin në zhvillim iu është dhënë njërit prej kandidatëve.” Sipas EPPO-s, faktet “mund të përbëjnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.” Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje penale.

Lajme të ngjashme