Raporti i KQZ-së: PDK gjatë vitit 2021 shpenzoi mbi 870 mijë euro
Janë publikuar raportet e paauditurar financiare të partive politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë vitit 2021.
PDK si partia më e madhe opozitare në vend ka mbledhur 823 mijë e 68 euro të hyra dhe 872 mijë e 605 euro shpenzime.
Sipas raportit financiar të KQZ-së, PDK ka shpenzuar 49 mijë e 537 euro më shumë se sa shuma e të hyrave.
Partia Demokratike e Kosovës në këtë raport ka deklaruar se ka marrë 31 mijë e 249 euro nga donacionet dhe kontributet në të holla.
Ku në mesin e 38 donatorëve janë deputetët Hajdar Beqa dhe Elmi Reqica ku kanë dhuruar nga 1 mijë euro, gjithashtu në këtë listë janë edhe ish-deputetja Valdete Idrizi dhe ish-zëvendësministri Isni Kilaj, të cilët gjithashtu kanë dhuruar nga 1 mijë euro.
Partia e Memli Krasniqit ka shpenzuar 412 mijë e 580 euro për ‘Pagat dhe kompenzimet’, ndërsa për ‘Shpenzimet e transportit’ janë shpenzuar 2 mijë e 338 euro, për ‘Reklamat, reprezentacioni dhe konferencat’ janë shpenzuar 12 mijë e 784 euro, për ‘Shpenzimet e fushatës’ janë 362 mijë e 920 euro, për ‘Shpenzimet e përgjithshme’, janë 64 mijë e 559 euro, ‘Shpenzimet e ndryshme’ 17 mijë e 414 euro.
PDK ka deklaruar se pranoi 647,081.42 euro nga buxheti i shtetit.