Raporti i Bankës Botërore, Mustafa: Dy nga tre kosovarë të aftë për punë janë të papunë
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka reaguar ndaj pretendimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, se opozita keqinterpretoi një raport të Bankës Botërore.
Ai theksoi se në raport thuhet se "nga tre qytetarë të Kosovës që janë të aftë për punë, një është në punë, dy nuk janë në punë".
Ai sfidoi ministrin Murati se si mund diçka të keqinterpretohet nëse raporti thotë se vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.
“Banka Botërore thotë që nga tre qytetarë të Kosovës që janë të aftë për punë, një është në punë, dy nuk janë në punë, ky është realiteti dhe fatkeqësia është se ky numër është edhe me i tmerrshëm tek gratë, pra diku në pesë gra që janë të afta për punë, një është në punë, katër nuk janë në punë dhe pastaj tenton z.Murati atje që të dalë dhe të thotë “ju e keni keqinterpretuar”, si mund ta keqinterpretosh, thotë 37 për qind e atyre që janë të aftë për punë janë në punë, 63 për qind nuk janë në punë”, deklaroi ai në emisionn "DPT ME FIDANIN" në Klan Kosova.