Raportet me ShBA-të, Haradinaj qorton Kurtin: Siguria e Kosovës garantohet vetëm nga ShBA-ja
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili dje ka thënë se jo për gjithçka pajtohet me ShBA-të.
Ai ka vlerësuar se kjo deklaratë e kryeministri është një përpjekje dëshpëruese e tij për të fshehur mospajtimet që ka me ShBA-të në sferën e sigurisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se për siguri nuk duhet të ketë mospajtime me aleatët.
“E para, Kosova është aleat në çështjet e sigurisë globale dhe kjo nuk mund të ndryshojë asnjëherë, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë. Kjo është, jo vetëm përcaktim por edhe orientim i pandryshueshëm i yni. Deklaratat e Kryeministrit se, jo për gjithçka pajtohemi me Shtetet e Bashkuara, janë përpjekje dëshpëruese të tij për të fshehur mospajtimet e tij, pikërisht aty ku nuk duhet, në sferën e sigurisë”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, siguruar e Kosovës garantohet vetëm duke bashkëpunuar me aleatët.
“Për sigurinë, nuk mund të ketë as dallime e as mospajtime me partnerët! Siguria e Kosovës dhe Rajonit, garantohet vetëm duke qenë të bashkuar me aleatët, posaçërisht me ShBA dhe duke u bërë pjesë e NATO-s!”, ka shkruar ai.