Ramaj: “Informatat konfidenciale” të AKI-së, Presidentja mendon se mund t’i përdorë për betejat e saj individuale
Gazetarja Saranda Ramaj e ka cilësuar reagimin e Presidentes si “jashtëzakonisht problematik në secilin paragraf”, reagimin e Presidentes Vjosa Osmani në lidhje me rastin e arrestimit të kameramanit të “Paparacit”, Jetmir Muji, i cila u ndalua dhe më pas u arrestua nga Policia e Kosovës, pasi paraprakisht ishte penguar nga pjesëtarë të sigurimit të saj të afërt.
Ramaj veçoi si më shqetësues përdorimin e informacioneve të inteligjencës për të sulmuar gazetarët. Gazetarja kujtoi se Presidentja “nuk e ka me automatizëm kompetencën” të ndajë me publikun të dhëna konfidenciale të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë pa një proces të rregullt deklasifikimi.
Si të tilla, "ato duhet të verifikohen dhe të provohen në një proces të rregullt penal dhe, nëse nuk mund të provohen, mbesin vetëm si informacione të pakonfirmuara, pa asnjë peshë në vërtetimin e një situate të caktuar,” shkroi ajo, duke ngritur pyetje të drejtpërdrejta nëse Osmani ose AKI i kanë adresuar këto pretendime në organet hetimore.
Reagimi i plotë:
Reagimi i Presidentes është jashtëzakonisht problematik në secilin paragraf, por kjo fjali është më problematikja.
Së pari, informatat që Presidentja merr nga AKI janë informata konfidenciale. Për t'i ndarë me publikun apo për t'i trajtuar si çështje të mbyllura, Presidentja Osmani nuk e ka me automatizem këtë kompetencë. Për më tepër, për të folur publikisht për një çështje të tillë do të duhej të kishte një proces të deklasifikimit të informacioneve.
Pyetjet valide për Presidenten në këtë rast janë:
A e ka adresuar këtë informatë ajo ose AKI te organet e hetuesisë për hetim të mëtejmë?
A e di Presidentja se informatat e AKI-së nuk përbëjnë automatikisht bazë për hetim penal?
Nëse ka pasur hetim penal dhe nuk ka pasur aktakuzë, a është e vetëdijshme se informatat e institucioneve të sigurisë e humbin vlerën dhe peshën juridike?.
Informatat e inteligjencës nuk kanë cilësinë e provës në asnjë procedurë. Si të tilla, ato duhet të verifikohen dhe të provohen në një proces të rregullt penal dhe, nëse nuk mund të provohen, mbesin vetëm si informacione të pakonfirmuara, pa asnjë peshë në vërtetimin e një situate të caktuar.
Nëse nuk ka hetim, por Presidentja dhe AKI “janë të shokuar” nga veprimtaria e ndonjë gazetari, a e kanë adresuar këtë çështje në mënyrën e duhur ligjore?
Rrallë më ka rastis të dëgjoj që “informatat konfidenciale” të një institucioni të sigurisë Presidentja mendon se mund t’i përdorë për betejat e saj individuale kundër mediave dhe gazetarëve.
Dëshpërim