Ramadani: KFOR-i e ktheu mbrapsht ministrin Elbert Krasniqi nga Komuna e Zveçanit
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka treguar se KFOR-i ia ka ndaluar hyrjen ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në objektin e Komunës së Zveçanit.
Ai ka bërë me dije se kjo ka ndodhur të hënën më 29 janar, derisa Krasniqi kishte planifikuar ta takonte të parin e kësaj komune.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ramadani ka shkruar se është shqetësues për fazën se si KFOR ka vendosur të ushtrojë kompetencat e veta.
“KFOR-i nuk lejoi ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, më 29 janar 2024, në orët e pasdrekës derisa Ministri i Qeverisë së Kosovës shkoi për ta takuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit. KFOR-i ktheu mbrapsht ministrin Elbert Krasniqi nga komuna e Zveçanit, duke dhënë kështu një indikacion, për mua, shqetësues për fazën se si KFOR duket që ka vendosur të ushtrojë kompetencat e veta”, ka shkruar Ramadani.
Sipas tij, KFOR-i nuk ka pasur të drejtë ta bëj një gjë të tillë.
“Në fakt, KFOR-i nuk ka pasur të drejtë t’i ndalojë hyrjen Ministrit Krasniqi, ndërsa kjo është një dëshmi fort e keqe për nivelin e raporteve midis Qeverisë së Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare ushtarake”, ka shkruar Ramadani.