Ramadani: Dihet kush e poshtëroi e sulmoi Policinë e Kosovës në vazhdimësi
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramdani ka thënë se respekti për policinë e Kosovës është në esencën e atdhedashurisë së popullit të vendit.
Në një hskrim në Facebook, ai ka thënë se dihet kush janë që nuk e respektuan, fyen, poshtëruan e sulmuan policinë.
“Dihet kush janë ata që nuk e respektuan, fyen, poshtëruan e sulmuan Policinë në vazhdimësi. Edhe vitet e fundit po ashtu! Dhe, të tillët nuk kanë dallime etnike, por kishin dhe kanë qëllime politike!
Fatkeqësisht, policët nuk kanë Sigurime Shëndetësore as sot. Ata dhe ato vuajnë nga pagat më të ulëta, e që rreth 6 vjet më parë kishin pagat më të larta në rajon” – ka shkruar ai.
Ai ka përmendur edhe uljen e kohëzgjatjes së trajnimeve të ndryshme.
“Kohëzgjatja e Trajnimit Bazik është përgjysmuar, sikurse edhe kohëzgjatja e Trajnimit Fushor. Pajisjet individuale të domosdoshme nuk janë të kompletuara, ndërsa ndikimi politik mbi autonominë operacionale të Policisë është konstatuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht amerikanë.
“Njerëzit sikur ju, në shërbimin tuaj” meritojnë mbështetje përmbajtjesore, trajnime të vazhdueshme, Sigurime Shëndetësore, autonomi operacionale” – ka thënë Ramadani.