Rama tregon pse u ndërrua kryenegociatori i negociatave me BE-në
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar sot ekipin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Rama ka kërkuar prej ekipit shqiptar që në procesin e negociatave me BE-në të tregojnë seriozitet.
“Atë respekt që kemi fituar në aspektin politik, duhet ta fitojmë tani në aspektin teknik. Dua që në Bruksel skuadra shqiptare të krijojë një përshtypje absolutisht pozitive, dhe dua që në Bruksel të flitet për seriozitetin, të flitet për këmbënguljen, për kapacitet dhe cilësitë e punës së skuadrës shqiptare”, ka thënë Rama.
Ai ka folur edhe për ndryshimin që bëri për Kryenegociatorin, ku në vend të Zef Mazit vendosi Majlinda Dhukën.
Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të natyrës së re të marrëdhënieve që tashmë Shqipëria do të ketë me BE-në.
“Ambasadori Mazi bëri një punë shumë të lavdërueshme diplomatike, duke qenë një krah shumë i rëndësishëm në këtë proces, për mua, për Ministren deri në momentin kur u vendos që negociatat të hapen formalisht. Ju e dini shumë mirë se jeni pjesë e kësaj pune që ne nuk kemi pritur hapjen e negociatave për të bërë shumë nga punët që të tjerë i kanë bërë pasi janë hapur negociatat dhe faktikisht kemi një pozicion të avantazhuar për shkak se e kemi bërë një pjesë të madhe të punës që përkon edhe me pjesën e fillimit zyrtar të negociatave, por natyra shumë teknike tani e procesit kërkon pikërisht një profil shumë teknik”, ka thënë Rama.