Rama: Nga sot deti i Shqipërisë do të përdoret nga Kosova edhe për tregti
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar se nga sot, deti i Shqipërisë do të përdoret për tregti edhe nga Kosova.
Rama shkruan se nga sot deti i Shqipërisë nuk do të jetë më i Kosovës vetëm për turizëm.
“Ja ku ka nisur edhe zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën dhe deti ynë nuk është më edhe i Kosovës veç për turizëm, po është edhe i Kosovës për tregti”, ka shkruar Rama duke përçuar edhe mesazhet “jemi një”, “të bashkuar e jo të ndarë”, etj.
Kujtojmë se që nga dita e sotme ka filluar zhdoganimi në portin e Durrësit për mallrat që kanë destinacion Kosovën.
Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi Ministria e Financave të Kosovës.
“Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës Hekuran Murati dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë Delina Ibrahimaj, të shoqëruar nga Drejtorët e Doganave të të dyja shteteve, kanë vizituar sot zyret e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit. Vizita është bërë me rastin e fillimit të zhdoganimit të plotë në portet e Durrësit për mallrat me destinacion Republikën e Kosovës”, thuhej në njoftim.
