Rama mirëpret qasjen e re të Kosovës në dialog: Çështja të zgjidhet me njohjen e plotë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në prag të 111-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Këshillin e Atlantikut tha se Shqipëria dhe rajoni “nuk kanë qenë kurrë më mirë”, por theksoi çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është domosdoshmëri.
Rama ka përshendetur ndryshimin e qasjes së Kosovës lidhur me dialogun dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasjen e autoriteteve të Kosovës, dhe duke pranuar në parim Asociacionin, kryeministri i Kosovës ka dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur përpara dhe për të kërkuar zgjidhje e jo alibi, apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes”, tha Rama.
Tutje, ai ka kërkuar njohjen e plotë të Kosovës.
“Kjo pjesë më e vështira deri më sot, ka treguar se është domosdoshmëri. Kanë ndodhur hapa pas e magësi që do vijojnë të ndodhin. Në konktektin më të gjerë, agresioni rus në Ukrainë, lufta mes Izraelit e Hamasit, efektet mund të jenë edhe më negative nëse nuk punojmë natë e ditë për ta mbajtur konfliktin jashtë rajonit tonë”, tha Rama.
Ai tha se në kontekstin e luftërave në botë, “kjo situatë, që është përmirësuar shumë duhet ta trajtojë e ta zgjidhë këtë çështje mes Kosovës e Serbisë, në njohje të plotë të Kosovës, me paqen përfundimtare”.
Kryeministri Shqiptar tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte “një shenjë shumë e fortë, dhe një këmbanë e mirëfilltë alarmi e potencialit që ka një çështje e tillë e pazgjidhur për t’u berë vendimtare në rrezikimin e paqes dhe bashkëpunimit rajonal”.
“Përgjegjësia jo vetëm e personave të përfshirë, por edhe e Beogradit që nuk e dënoi, por shpalli ditë zie kombëtare në nder të këtyre kriminelëve. Edhe një herë, duhet të mos biem pre e konfrontimeve, përshkallëzimeve, por t’i trefishojmë përpjekjet për paqe”, tha ai.
