Rama: Ministrat e Qeverisë Kurti po hezitojnë të bashkëpunojnë me kryeqytetin - NACIONALE

Rama: Ministrat e Qeverisë Kurti po hezitojnë të bashkëpunojnë me kryeqytetin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka një hezitim të ministrave të Qeverisë Kurti që të bashkëpunojnë në projektet për kryeqytetin.

Rama për Rubikonin e Adriatik Kelmendit tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk e ka pranuar atë si pjesë të jurisë për përzgjedhjen e fituesit të projektit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, duke e përjashtuar kështu plotësisht nga procesi.

“Platforma Arbëri me Pallat të Rinisë, qysh para një viti jemi marrë vesh me Ministrinë e Kulturës që ajo të jetë pika, ose pjesa ku do të bëhet baleti dhe opera dhe pika zero të merret Pallati i Rinisë që të ndërlidhet Pallati i Rinisë së bashku me Arbërinë, pra për projektin tashmë janë tri propozime dhe është dashur të zgjidhet fituesi dhe të vazhdohen punimet”.

“Kam kërkuar të jem pjesë e jurisë së këtij projekti ku ministria e ka iniciuar këtë konkurs ndërkombëtar, për fat të keq nuk më kanë ftu, kam qenë i përjashtuar nga procesi, absolutisht nuk e kuptoj, unë përveç që jam kryetar i kryeqytetit jam arkitekt, jam urbanist, eksperienca ime globale në konkurse ndërkombëtare është e madhe, i plotësoj të gjitha kushtet dhe kam bërë kërkesë, por nuk jam ftuar të jem pjesë e konkursit, i kam pyetur përse por është arsyetim i pabazë që unë nuk e kuptoj”, tha Rama në Rubikon të Klan Kosovës.

Lajme të ngjashme