Rama i shqetësuar: Qeveria po e bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Ministrinë e Financave për bllokim të bartjeve të të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo përpjekje e Qeverisë është kundërkushtetuese.
“Jam thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake. Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave. Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë”, ka shkruar Rama.
Më tej, ai ka treguar projektet të cilat po bllokohen nga Qeveria e Kosovës.
“Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade. Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale”, ka shkruar ai, duke shtuar se nëse këto mjete nuk do të barten shpejt, ky veprim do të konsiderohet i qëllimshëm.
“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Rama.