Rama i kërkon përgjegjësi Kurtit për izolimin e Kosovës: Raportet Kosovë-ShBA në pikën më të ulët
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për izolim të Kosovës.
Ai ka kërkuar përgjegjësi nga i pari i Qeverisë për raportet e Kosovës me ShBA-në.
Në profilin e tij në Facebook, Rama ka shkruar se raportet e Kosovës më ShBA-të janë në piken më të ulët.
“Brenda pak ditësh, Shtetet e Bashkuara artikuluan qartë prioritetet e tyre në raport me Serbinë dhe Kosovën. Me Serbinë nisi Dialogu Strategjik, niveli më i lartë i bashkëpunimit dypalësh. Në tavolinë janë marrëveshje për energjinë dhe sigurinë energjetike, investime në infrastrukturë, zhvillimin e rrjetit 5G, bashkëpunimin në mbrojtje dhe industrinë ushtarake, arsimin, shkencën, teknologjinë dhe projekte të përbashkëta afatgjata. Ndërkohë, mesazhi për Kosovën ishte krejt i kundërt! Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se Dialogu Strategjik me Kosovën mbetet i PEZULLUAR!!!!”, ka shkruar ai, duke dhënë detaj tjera.
“Ish-ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier paralajmëroi se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje serioze dhe se qeveria e ardhshme duhet t’i adresojë prioritetet amerikane, përfshirë projektet e diversifikimit energjetik. Këto janë qëndrime zyrtare të aleatit më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe, si të tilla, janë shumë shqetësuese për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Prandaj, Kryeministri i Kosovës ka detyrim t’u japë qytetarëve një përgjigje të qartë. Si ka mundësi që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur në pikën ku partneriteti strategjik është i pezulluar, besimi është vënë në pikëpyetje dhe Uashingtoni flet publikisht për kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë? Si ka mundësi që marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara, aleatin tonë më të madh strategjik, ka arritur në pikën më të ulët që kanë njohur ndonjëherë raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së?”, ka shkruar ai.