Rama bisedon me sekretarin e Jashtëm të Britanisë për Kosovën: Ka rrezik për kthim prapa
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në takim në Tiranë, sekretarin e jashtëm të Britanisë, David Cameron.
Temë diskutimi kishte qenë edhe dialogu Kosovë-Serbi.
“Kemi diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të pajtimit dhe të bashkëpunimit në rajon. Lordi Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre proceseve dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë, por ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi dihet edhe rreziku i kthimit mbrapa”, tha Rama.
Përveç dialogut, Rama ka thënë se u diskutua edhe për hekurudhën Durrës – Prishtinë, projekt të cilin Britania e Madhe është shprehur e gatshme të ndihmojë.
“Pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë bilateral, dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Britanisë së Madhe në një projekt strategjik për Kosovën dhe rajonin, që është hekurudha Durrës-Prishtinë, që është element kyç për rritjen e kapaciteteve të lëvizjes në rajon dhe më gjerë. Së shpejti ne hapim garën ndërkombëtare për Portin e ri të Durrësit. Jemi në diskutime me NATO-n për krahun e armatosur të portit, siç jeni të informuar edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë. Britania e Madhe ka shprehur angazhim qoftë me financimin ashtu edhe me ekspertizën”, u shpreh Rama.