Radikalizohet Palokaj: Më shumë duhet t’i besojmë Beogradit sesa Lajçakut për letrën e Bërnabiqit
Augustin Palokaj, korrespodent i grupit Koha në Bruksel, është radikalizuar në qëndrime.
Në një lidhje në Interaktiv të KTV-së, Palokaj ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se për rastin e tërheqjes ose jo të letrës së Bërnabiqit, duhet t’i “besojmë më shumë Beogradit sesa Lajçakut”.
Tutje, sipas Palokajt, në rastin e letrës së Bërnabiqit “kemi të bëjmë…me një manipulim ose improvizim”.
“Nuk është hera e parë, e kam thënë disa herë, për çudi në këtë proces më shumë duhet t’i besojmë Beogradit sesa Lajçakut. Beogradi asnjëherë nuk ka thënë se e ka tërhequr letrën, Lajçaku ka thënë se është tërhequr letra. E tha këtë në Prishtinë. Por, deri më tash s’kam gjetur asnjë burim tjetër në BE që beson se letra është tërhequr. Laçak asnjëherë nuk e ka sqaruar se çfarë ka menduar. Sot nga z. Bislimi dëgjuam se në bisedën që kishte me Lajçakun ai i tha se nuk është tërhequr letra, por se po punohet nga BE-ja që letra të tërhiqet. Kemi të bëjmë këtu me një manipulim apo improvizim të z. Lajçak që ta ndihmojë Serbinë, pasi ajo letër ishte dëshmi me shkrim se Serbia nuk është e gatshme të bëjë hapat që duhet për zbatimin e marrëveshjes. E në anën tjetër s’ka pasoja për Serbinë” – ka thënë Palokaj.