Qytetari nga Prishtina shpëtohet në Velipojë pas një defekti në mjetin lundrues
Policia Kufitare e Shkodrës i ka shkuar në ndihmë të martën pasdite në Velipojë një shtetasi nga Prishtina, i cili kishte mbetur në det për shkak të një defekti në mjetin lundrues dhe rrezikonte të mbytej.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë organizuar menjëherë një operacion kërkimi dhe shpëtimi për lokalizimin e tij dhe ofrimin e ndihmës së nevojshme.
Sipas autoriteteve, në operacion u përfshinë mjete lundruese të Policisë Kufitare, si dhe operatorë turistikë të zonës, të cilët ndihmuan në kërkim, pasi në fillim nuk ishte e qartë vendndodhja e mjetit.
“Pas kërkimeve, shërbimet e Policisë Kufitare lokalizuan mjetin lundrues në thellësi të Lumi Buna, rreth 17 milje nga grykëderdhja. Nga verifikimet rezultoi se mjeti lundrues (skaf tip “Morea”) drejtohej nga shtetasi A. B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në det si pasojë e një defekti në motor.”, thuhet në njoftim.
Më pas, turistit nga Kosova i është dhënë ndihma e nevojshme dhe ai është shoqëruar drejt vendit të ankorimit të mjeteve lundruese në Pulaj të Velipojës.