QKUK njofton se një paciente me malarie është pranuar në Klinikën Infektive
Një shtetase e huaj është shtruar në Klinikën Infektive të QKUK-së pasi është diagnostikuar me malarie.
Në një njoftim për media, QKUK ka bërë të ditur se pacientja është pranuar në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije.
“Pas ekzaminimeve klinike, pacientja është transferuar në Klinikën Infektive për shkak të shenjave të një infeksioni të rëndë sistemik.
Gjatë vlerësimit epidemiologjik është konstatuar se pacientja kishte udhëtuar së fundmi në vende ku malaria është endemike. Për këtë arsye janë kryer analizat specifike, të cilat kanë konfirmuar diagnozën e malaries”, thuhet në njoftim.
QKUK ka bërë të ditur se malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit, por përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
“Malaria nuk transmetohet nga personi në person përmes kontaktit të zakonshëm, por zakonisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.
Raste të malaries janë raportuar edhe më parë në Kosovë. Sipas të dhënave të mbikëqyrjes epidemiologjike, gjatë periudhës 2022–2025 janë raportuar tetë raste.
Të gjitha rastet e raportuara gjatë viteve 2022–2025 kanë qenë të importuara dhe janë diagnostikuar te persona që kishin udhëtuar në vende të kontinentit afrikan ose kishin ardhur prej tyre”, thuhet tutje.