Qeveria fillon mbështetjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara - NACIONALE

Qeveria fillon mbështetjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.6 – Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara të Pakos së Ringjalljes Ekonomike në mes të Qeverisë dhe OJQ-ve.

Me këtë rast, Kurti ka shprehur përkushtimin e Qeverisë në krijimin e një ambienti ku askush nuk ndihet i përjashtuar.

Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre. Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Pra 270 euro për gjashtë muaj me radhë, që i bie më shumë se sa niveli bruto i pagës minimale, të cilën e kemi kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës”, ka deklaruar Kurti.

Kurse, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ndonëse masat e pakos kanë qëllim të krijojnë prosperitet për të gjithë, ato shpeshherë janë edhe të targetuara.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kryeministri Kurti, ministri Murati dhe përfaqësuesit nga organizatat jo-qeveritare janë pajtuar që kjo masë të trajtohet si një pilotim në mënyrë që të nxirren mësimet e nevojshme me synimin që të kthehet në një masë afatgjatë.

Lajme të ngjashme