Qeveria e shkarkon bordin e KRU “Hidroregjioni Jugor” që e kishte emëruar vetë
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës ka shkarkuar bordin e drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, të cilin e kishte emëruar vetë para dy viteve.
Në mbledhjen e 10 gusht të vitit 2022, Qeveria e Kosovës e kishte emëruar Fetim Fetoshi për kryesues dhe për anëtarë të kësaj ndërmarrje, kurse Hysni Çanta, Mirlinda Morina, Naim Kukaj dhe Arben Hajrizi i kishte emëruar si anëtar të ndërmarrjes.
Kandidatët që kur ishin emëruar kishin marrë lëvdata nga vetë kryeministri Albin Kurti, sot në mbledhje të qeveria janë shkruar.
Para kabinetit qeveritar, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar arsyet e shkarkimit të tyre.
Ajo ka thënë se bazuar në raportin vjetor për vitin 2022 dhe draft-raportin për vitin 2023, kjo ndërmarrje ka devijuar nga caqet e përcaktuara nga bordi i drejtorëve në planin e biznesit.
“Përveç devijimeve është evidentuar edhe mosinformimi dhe komunikimi jo i rregullt me Njësinë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike. Në përgjithësi konsiderohet se bordi i drejtorëve nuk ka arritur që të sigurojë planifikim efektiv dhe mbikëqyrje rigoroze të zbatimit të planit. Për këto arsye, rekomandojmë shkarkimin e bordit të drejtorëve të emëruar më 10 gusht 2022”, ka thënë Rizvanolli.
Gjithashtu, me kërkesë të ministres Rizvanolli, në këtë mbledhje Qeveria ka emëruar bordin e përkohshëm.
Bordi i ri do të kryesohet nga Ismet Vrapqani, ndërsa anëtarë do të jenë Dhurata Gutaj, Taulant Tanushaj dhe Sibel Halkoshatri.