“Qëndrojmë përpara pragjeve tona”: Kur gratë e Kosovës protestonin kundër masakrave të Serbisë më 8 mars 1998 - NACIONALE

“Qëndrojmë përpara pragjeve tona”: Kur gratë e Kosovës protestonin kundër masakrave të Serbisë më 8 mars 1998

1 vit më parë

nga NACIONALE

8 Marsi i vitit 1998 ishte shënuar në një mënyrë të jashtëzakonshme, siç ishte vetë situata e jashtëzakonshme.

Rrjeti i Grave të Kosovës atëbotë kishte organizuar një protestë në kundërshtim të masakrave të ndryshme në Drenicë.

Protesta ishte organizuar një ditë pas rënies së familjes së Adem Jasharit, themeluesit dhe komandantit legjendar të UÇK-së.

Motoja e kësaj proteste, siç shkruante gazeta e njohur “Bujku”, ishte “Qëndrojmë përpara pragjeve tona”.

“SOT, NË ORËN 12 Protestë e grave kundër dhunës serbe

Gratë e botës solidarizohen me gratë e Kosovës

Rrjeti i Gruas së Kosovës, me seli në Prishtinë, (bëjnë pjesë të gjitha organizatat joqeveritare të grave të Kosovës dhe Forumi i Gruas së LDK-së), mbajti dje një mbledhje të jashtëzakonshme. Me këtë rast u vendos që kundër masakrave serbe në Drenicë dhe në Kosovë, gratë e Kosovës të protestojnë sot (8 Mars) me moton: "Qëndrojmë përpara pragjeve tona". Protesta fillon në orën 12,00. Gratë e Prishtinës dalin para Qendrës Amerikane në Prishtinë, gratë nga viset e tjera të Kosovës dalin para shtëpive të veta dhe qëndrojnë 15 minuta. Gratë me këtë rast do të mbajnë në duar një letër të bardhë. Pas marrjes së ftesës për të protestuar kundër dhunës serbe në Kosovë, gratë e botës u solidarizuan për të demonstruar kundër dhunës serbe në Kosovë dhe ato premtuan se sot, po ashtu në orën 12,00, do të jenë krah i grave shqiptare në Kosovë” – raportonte Bujku, shkruan Nacionale.

Lajme të ngjashme