Putini thotë se zgjedhja e Liz Truss-it kryeministre ishte “larg demokratikes” - NACIONALE

Putini thotë se zgjedhja e Liz Truss-it kryeministre ishte “larg demokratikes”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të mërkurën se mënyra në të cilën Britania i zgjedh udhëheqësit e saj është “larg demokratikes”. Deklarata e tij erdhi një ditë pasi ish-kryediplomatja britanike, Liz Truss, e zëvendësoi ish-kryeministrin Boris Johnson në krye të qeverisë.

Në komentet e tij të para publike për emërimin e Truss-it, presidenti rus aludoi në faktin se ajo u zgjodh me votat e anëtarëve të Partisë Konservatore e jo nga tërë vendi.

“Populli i Britanisë së Madhe nuk merr pjesë, në këtë rast, në ndryshimin e qeverisë. Elitat udhëheqëse i kanë rregullimet e tyre”, tha Putini në një forum ekonomik në Vladivostok.

Kur u pyet për të ardhmen e lidhjeve me Britaninë, ai tha: “Ne e dimë pozicionin e konservatorëve në këto çështje, përfshirë lidhjet me Rusinë. Është punë për ta se si i ndërtojnë raportet me Federatën Ruse.”

“Puna jonë është që t’i mbrojmë interesat tona dhe ne do ta bëjmë këtë vazhdimisht, askush le të mos ketë dyshim për këtë”, shtoi presidenti rus.

Në postin e sekretares së Jashtme, zonja Truss e ka përkrahur fuqishëm Ukrainën gjatë luftës me Rusinë.

Lajme të ngjashme