Putini përmend tri shtete që mund të ndërmjetësojnë në bisedimet me Ukrainën - NACIONALE

Putini përmend tri shtete që mund të ndërmjetësojnë në bisedimet me Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të enjten se Kina, India dhe Brazili do të mund të vepronin si ndërmjetëse në bisedimet e mundshme të paqes me Ukrainën.

Kreu i Kremlinit tha se një marrëveshje preliminare, e arritur mes negociatorëve rusë dhe ukrainas në javët e para të luftës gjatë bisedimeve në Stamboll, që nuk është zbatuar kurrë, do të mund të shërbente si bazë për bisedime, raporton agjencia “Reuters”.

Edhe pse bisedimet për armëpushim në Turqi kishin dështuar, dy palët e konfliktit më pas kishin arritur një pakt për transportimin e sigurt të drithit nëpër Detin e Zi, me ndërmjetësimin e Ankarasë.

Marrëveshja për drithin ishte në fuqi nga korriku i vitit 2022 deri në korrikun e vitit 2023, por pastaj Rusia ishte tërhequr nga pakti.

Kina ka thënë se e përkrah zgjidhjen e konfliktit përmes diplomacisë dhe ka shprehur gatishmëri për të kontribuuar në këtë aspekt.

Në maj të këtij viti, Kina dhe Brazili paraqitën një plan me gjashtë pika, ku përfshiheshin shmangia e eskalimit të situatës, bisedimet e drejtpërdrejta, mbajtja e një konference ndërkombëtare të paqes që do të pranohej nga Rusia dhe Ukraina si dhe diskutimi i të gjitha planeve për paqe.

Më tej, në propozim përmenden edhe asistenca humanitare, shkëmbimi i të burgosurve të luftës dhe shmangia e sulmeve ndaj civilëve./Nacionale

Lajme të ngjashme