Putini në Ditën e Fitores: S’do të lejojmë askënd që të na kërcënojë, forcat strategjike gjithmonë në gjendje të gatishmërisë luftarake
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të enjten se vendi i tij do të bëjë gjithçka për të shmangur një përplasje të fuqive botërore, por nuk do të lejojë që vetë të kërcënohet.
Kreu i Kremlinit e dha këtë paralajmërim gjatë fjalimit me rastin e përvjetorit të fitores së sovjetikëve kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, raporton agjencia “Reuters”.
“Rusia do të bëjë gjithçka për të parandaluar një përplasje botërore, por, në të njëjtën kohë, ne nuk do të lejojmë askënd që të na kërcënojë. Forcat tona strategjike janë gjithmonë në gjendje të gatishmërisë luftarake” – tha Putini në një fjalim të shkurtër, përderisa fjollat e borës po binin në Sheshin e Kuq të Moskës.
Pasi shpalli një minutë heshtjeje, Putini e përfundoi fjalimin me fjalët: “Për Rusinë! Për fitore! Urra!” Ushtarët e rreshtuar për paradë iu përgjigjën me tri brohoritje në formën e njëjtë.