Putini i nënshkruan dekretet, e hap rrugën për aneksimin e dy rajoneve jugore ukrainase
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka nënshkruar dekretet për ta hapur rrugën që rajonet e pushtuara ukrainase, Kherson dhe Zaporizhia, të aneksohen formalisht në Rusi.
Të premten, presidenti rus pritet që ta nënshkruajë aneksimin e katër rajoneve ukrainase – Kherson, Zaporizhia, Donetsk dhe Luhansk – ku rusët mbajtën referendume t ërreme javën e kaluar me qëllim për ta pretenduar mandatin në territoret e pushtuara.
Në dekretet e nënshkruara të enjten në mbrëmje, të publikuara nga Kremlini, thuhet se Putini i ka njohur Kherson-in dhe Zaporizhia-n si territore të pavarura. Ky është një hap i ndërmjetmë që nevojitet para se Putini të vazhdojë me planin për të deklaruar në mënyrë të njëanshme të premten se ato janë pjesë e Rusisë.
Në shkurt, Putini e njohu pavarësinë e republikave të vetëshpallura të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut.
Plani për nënshkrimin e dekreteve për aneksimin e territoreve të pushtuara në Ukrainë do të shënojë një eskalim të konsiderueshëm të luftës shtatëmujore të Rusisë. Putini ka thënë se është i gatshëm që t’i mbrojë ato territore duke i përdorur të gjitha mjetet në dispozicion, duke dhënë shenjë se është i gatshëm që të përdorë sulm bërthamor për t’i zmbrapsur përpjekjet e Ukrainës për çlirimin e territorit të saj sovran.