Putini i dërgon dhuratë një veturë luksoze Kimit të Koresë Veriore
Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka pranuar një veturë nga presidenti rus, Vladimir Putin, si dhuratë “për përdorim personal”, raportuan të martën mediat shtetërore. Ky veprim mund të paraqesë shkelje të sanksioneve të OKB-së që Rusia është pajtuar t’i zbatojë kundër Penjanit.
Vetura e prodhimit rus iu dorëzua ndihmësve të lartë të Kimit nga rusët më 18 shkurt, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, përcjell agjencia “Reuters”.
Motra e Kimit “me mirësjellje ia përcolli falënderimit e Kim Jong Unit Putinit përmes palës ruse, duke thënë se dhurata shërben si shfaqje e qartë e marrëdhënieve të veçanta personale mes dy udhëheqësve të lartë”, raportoi më tutje agjencia KCNA.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha agjencisë ruse të lajmeve, RIA, se udhëheqësit Korean i është dhuruar një veturë e tipit “Aurus”.

Sipas uebfaqes së prodhuesit të saj, vetura “Aurus” është sedani i parë luksoz rus i madhësisë së plotë. Ajo është gjithashtu veturë presidenciale e Putinit.
Në shtator, përderisa vizitoi një stacion për lëshime hapësinore në Rusi, Kimi e pa nga afër veturën e këtij tipi dhe u ftua nga Putini që të ulej në ulësen e pasme.
Besohet se Kimi është shumë i dhënë pas veturave dhe ka koleksion të gjerë të automjeteve të huaja luksoze, të cilat me gjasë janë kontrabanduar.
Ai është parë në vetura luksoze si “Maybach” e “Rolls-Royce Phantom”.