Putini e akuzon Ukrainën se goditi një konvikt studentësh, zotohet për hakmarrje
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka premtuar hakmarrje, pasi e akuzoi Ukrainën për një sulm vdekjeprurës në një konvikt studentësh në një pjesë të pushtuar të Ukrainës Lindore.
Ai tha se gjashtë persona u vranë dhe 39 u lënduan pas sulmit me dron gjatë natës në qytezën Starobilsk të rajonit Luhansk. 15 të tjerë ishin të zhdukur, raporton televizioni BBC.
Zyrtarët lokalë të emëruar nga Kremlini publikuan fotografi të një ndërtese të shembur dhe të punëtorëve të shpëtimit duke hulumtuar nën rrënoja.
Ushtria ukrainase tha se e goditi selinë qendrore të njësitit elit ushtarak rus për dronë, Rubicon, në Starobilsk.
Televizioni BBC nuk ka qenë në gjendje që të vërtetojë në mënyrë të pavarur se çfarë ka ndodhur në Starobilsk.
Duke folur të premten në rezidencën e tij në Kremlin, Putini tha se sulmi ukrainas u krye në tri valë, me përdorimin e 16 dronëve.
Ai e urdhëroi ushtrinë ruse që t’i përgatiste “propozimet” e saj për hakmarrje.
“Nuk ka objekte ushtarake, objekte të shërbimit të inteligjencës apo të shërbimeve të ngjashme në afërsi [të vendit ku u krye sulmi” – pretendoi presidenti rus.