Putini betohet në mandatin e pestë si president, s’e përjashton dialogun me Perëndimin - NACIONALE

Putini betohet në mandatin e pestë si president, s’e përjashton dialogun me Perëndimin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të martën u betua në mandatin e pestë 6-vjeçar si president në një ceremoni të mbajtur në Kremlin, e cila u bojkotua nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera perëndimore për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë.

“Për Rusinë, ky është vazhdimi i rrugës sonë, ky është stabilitet – mund ta pyesni secilin qytetar në rrugë” – tha para ceremonisë Sergei Chemezov, aleat i ngushtë i Putinit, raporton agjencia “Reuters”.

Në mars, Putini shënoi fitore bindëse në zgjedhjet e kontrolluara ngushtë nga të cilat ishin përjashtuar dy kandidatë kundër luftës në Ukrainë.

Putini tha se Rusia nuk e përjashton dialogun me Perëndimin, por shtoi se një gjë e tillë duhet të bëhet në kushte të barabarta.

Në një fjalim të shkurtër, presidenti rus gjithashtu tha se vendi i tij është i hapur ndaj zhvillimit të marrëdhënieve me shtete të tjera që ai i përshkroi si “shumica e botës”.

Sipas tij, sistemi shtetëror i Rusisë duhet të jetë rezistent ndaj çfarëdo kërcënimi dhe sfide.

Kundërshtari më i njohur i Putinit, Alexei Navalny, vdiq papritmas në një burg në Arktik një muaj para zgjedhjeve. Kritikë të tjerë janë në burg ose janë detyruar që të largohen nga vendi.

Përpos Shteteve të Bashkuara, ceremonia e betimit të Putinit u bojkotua edhe nga Britania, Kanadaja dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, por Franca tha se do ta dërgonte ambasadorin e vet.

Lajme të ngjashme