Publikohen pamje të personave të maskuar në pikën kufitare në Bërnjak
Radio Evropa e Lirë ka publikuar pamje të personave të maskuar që janë parë pranë pikëkalimit kufitar në Bërnjak.
Mediumi shkruan se personat në fjalë janë parë pranë një bllokade të vendosur në pjesën serbe të pikës kufitare mbrëmjen e së premtes.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka konfirmuar se është mbyllur për kalim pika kufitare në Bërnjak.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dënon fuqishëm veprimet e fundit në pikën kufitare të Bërnjakut, ku persona të maskuar po ndalojnë vetura me regjistrim gjerman dhe, pas konstatimit se udhëtarët janë shqiptarë, nuk po i lejojnë të kalojnë.
Kjo situatë është duke u mbikëqyrur nga vetura të policisë serbe, e cila nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij veprimi të padrejtë.” – thuhet në komunikatë.