Protestuesit në Sri-Lankë hyjnë edhe në zyrën e kryeministrit
Protestuesit kanë arritur që të futen në zyrën e kryeministrit të Sri-Lankës. Në një fotografi, ata shihen të ulur në ulëset e një salle takimesh.
Jashtë sallës, disa ushtarë të armatosur po qëndrojnë dhe po i shikojnë protestuesit duke festuar.
Protestuesit arritën që ta kalonin rrethojën, pavarësisht pranisë së madhe të forcave të sigurisë dhe hedhjes së gazit lotsjellës më herët.
Ditëve të fundit, kryeministri i vendit, Ranil Wickremesinghe, ka qëndruar në vende të panjohura, pasi protestuesit ia dogjën shtëpinë. BBC-ja ka konfirmuar se ai nuk është në rrezik të menjëhershëm.
Pas krizës së rëndë ekonomike, mijëra njerëz kanë protestuar vazhdimisht në Sri-Lankë, duke e kërkuar dorëheqjen e presidentit dhe kryeministrit. Presidenti tashmë është larguar nga vendi.
Kryeministri e ka shpallur gjendjen emergjente dhe ka vendosur orë policore në një pjesë të vendit. Ai gjithashtu e ka rolin e presidentit të përkohshëm.
Ndërkohë televizioni publik i Sri-Lankës nuk është më duke e transmetuar programin. Zyrtarët thanë se inxhinierët e ndërprenë transmetimin, pasi protestuesit u futën në zyrën e televizionit shtetëror.