Protestat e kompanive transportuese, OEK thirrje BE-së për “ndërhyrje urgjente, është pamundësuar eksporti dhe importi”
Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me protestat e kompanive transportuese në shtetet e rajonit, duke paralajmëruar pasoja serioze për bizneset kosovare dhe tregtinë ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, OEK thekson se këto protesta kanë ndikuar drejtpërdrejt në “pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian”, duke shkaktuar vonesa, kosto shtesë dhe rrezik për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, njëherësh Kryesues i Bordit të WB6 CIF, ka ngritur vazhdimisht këtë çështje në komunikimet me institucionet evropiane, duke kërkuar “një zgjidhje të qëndrueshme dhe sistemike” në interes të tregtisë së lirë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
OEK i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian për “ndërhyrje urgjente institucionale” që do të mundësonte funksionimin normal të transportit rrugor ndërkombëtar deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
Sipas Odës, një qasje e tillë është thelbësore për stabilitetin ekonomik, integrimin tregtar dhe zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.