Protesta para EULEX-it: Mblidhen dhjetra veteranë të UÇK-së, merr pjesë edhe Dardan Molliqaj
Organizata e Veteranëve të UÇK-së sot ka ftuar një protestë para selisë së EULEX-it në Fushë Kosovë. Protesta që fillon në ora 12:00, sipas njoftimit të OVL-së së UÇK-së ka për qëllim të shpreh pakënaqësinë e bastisjeve të fundit që këto institucione kanë bërë në disa familje të veteraneve të UÇK-së.
Ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se këto bastisje kanë shqetësuar familjet.
“Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i, janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personal. Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit, dhe institucionet tona vetëm po heshtin. Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë Kosovë, nesër me datë 15 shtator 2023, ora 12:00. Ju ftojmë që të merrni pjesë në protestë.” – shkroi ai në “Facebook”.
Gazetarja e Nacionales, Gentiana Hasani, ka dërguar disa fotografi, ku shihen dhjetra veteranë që kanë dalë në protestën e thirur nga OVL e UÇK-së.
Në këtë protestë shihet edhe Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së.
