Protesta në Prishtinë pas dhunimit të 11-vjeçares, Rexhepi: Kemi dështu si shoqëri
Në Prishtinë është protestuar për dhunimin e 11-vjeçare nga pesë persona.
Organizatorja e protestës, Xheraldina Rexhepi, ka thënë se ka dështuar shteti e shoqëria për dhunimin e 11 vjeçare.

“Kam qenë e indinjuar dje sepse është një ngjarje makabër e cila nuk ka ndodh rastësisht. Është ngjarje e cila nuk ka dështu askush, por kemi dështu krejt si shoqëri, fillimisht familja që nuk e ka ditë ku e ka vajzën 7 orë dhe familja e djemve që nuk i kanë eduku se nuk mundet me e trajtu ashtu një fëmijë. Po ashtu kanë mbet të lirë sepse nuk janë të vetëdijshëm se çfarë vepre kanë bërë”, ka thënë ajo Rexhepi.
Ajo ka bërë thirrje ndaj krerëve të shteti që të merren masa ndaj prokurorëve që nuk i kryejnë detyrat sipas ligjit.

“E ftoj Vjosa Osmanin, Albin Kurtin e Albulena Haxhiun, le t’i hetojnë prokurorët e gjyqtarët, a po i kryejnë detyrat sipas ligjit, sipas Kushtetutës. Ata dhunues e meritojnë varjen para bustit të “Skënderbeut” dhe kurrë më kësi raste nuk ndodhin”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se Policia ka arrestuar katër persona teksa i pesti është identifikuar dhe është në kërkim të policisë.