Protesta kundër vrasjes së grave: Patriarkati po i shndërron burrat në kriminelë
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar sot në Prishtinë, kundër vrasjes së grave.
Në protestën me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”, janë adresuar kritika të ashpra ndaj institucioneve.
Qendresa Hyseni nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka kërkuar që siguria e grave dhe vajzave të trajtohet si çështje me urgjencë kombëtare.
“Sot na qitën prapë në rrugë edhe dy jetë grash të humbura. Jemi dalë zemërthyme e të revoltume me bërtitë që ky patriarkat që po i shndërron burrat në kriminela po vret gra cep më cep Kosovës. Kemi dalë se jemi të binduna që ne si çika e gra të këtij vendi po jetojmë në gjendje lufte. Shumë prej nesh na mësohet prej fminisë që jeta jonë është në fije të penit. Jetëgjatësia e dinjiteti i trupit e qenësisë tonë varet prej burrave e nji sistemi patriarkal që e sheh qiken e gruan në shërbim të pushtetit mashkullor, qoftë në shpi, qoftë në institucione, qoftë në ekonomi. Kësisoji, na jemi dytsore e të rrezikume prej dhunes ekonomike, përdhunimit, rrahjes, dhunës psikologjike e në fund edhe vrasjes. Krejt kjo vjen prej dhunës patriarkale që ushtrohet përmes dorës së burrave. Prej të njëjtës dhunë mashkullore përdhunohen edhe burrat, siç na u bë e ditun përmes lajmeve që n’burgun e Dubraves 3 burra dhunuan një burrë tjetër. Këto fragmente mund të doken që s’kane lidhje me njana-tjetrën, po në fakt burojnë prej të njëjtit sistem e të njëjtës logjikë që rrah, përdhunon e vret”, ka thënë ajo.