Protesta e opozitës në Shqipëri: Përplasje fizike, gaz lotjsellës e molotovë
Protesta e së premtes, e organizuar nga opozita përpara Kryeministrisë në Shqipëri, u shoqërua me tensione të larta dhe përplasje fizike.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, këtë herë pati ndërhyrje të menjëhershme nga policia ndaj protestuesve, siç raporton Euronews.
Pas përfundimit të fjalimeve në podium, një pjesë e protestuesve hodhën fishekzjarrë dhe molotovë drejt godinës së Kryeministrisë. Kjo solli reagimin e shpejtë të policisë, duke i zënë në befasi si protestuesit ashtu edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, gjë që çoi në përplasje fizike.
Si pasojë, disa deputetë demokratë, mes tyre Luçiano Boçi dhe Klevis Balliu, si dhe gazetari Aulon Kalaja, pësuan lëndime nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe u dërguan në spital, së bashku me disa protestues të tjerë të dëmtuar.
Gjithashtu, një efektiv policie mbeti i lënduar nga shpërthimi i një kapsolleje në trupin e tij. Policia shoqëroi 22 persona dhe sekuestroi katër çanta që përmbanin molotovë.