Protesta e 1 Tetorit 1997, Rama: Ishte akt politik dhe akt rezistence
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar protestën studentore të vitit 1997.
Ai ka bërë me dije se ajo protestë ishte akt politik dhe akt rezistence.
Në profilin e tij në Facebook, Rama ka shkruar se Prishtina dhe Kosova e nderojnë këtë brez të studentëve.
“Atë ditë, studentët e Universitetit të Prishtinës, të organizuar nga Unioni i Pavarur i Studentëve e të prirë nga rektori i nderuar Ejup Statovci, dolën për të kërkuar kthimin në hapësirat universitare prej të cilave shqiptarët ishin përjashtuar më 1991. Pas viteve të mësimit në shtëpi private dhe moszbatimit të marrëveshjes së arsimit, ata e kthyen kërkesën për të drejtën e tyre në veprim publik. Kërkesa për kthim në universitet kishte domethënie të thellë politike. Ajo sfidonte një regjim që, përmes përjashtimit nga arsimi dhe institucionet, synonte t’ua mohonte shqiptarëve të drejtat elementare”, ka shkruar ai.