Prokuroria në Gjakovë kërkon paraburgim për të dyshuarin për zjarrvënie - NACIONALE

Prokuroria në Gjakovë kërkon paraburgim për të dyshuarin për zjarrvënie

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet H.H., si dhe ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari, në përpjekje për t’iu shmangur zyrtarëve policorë, është drejtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF), ku dyshohet se ka ndezur një zjarr të përmasave të mëdha. Si pasojë, është djegur një autoambulancë dhe është dëmtuar pjesa ballore e objektit të QMF-së, pas së cilës i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria bën të ditur se ekziston dyshim i bazuar se H.H., më 21 dhjetor 2025, rreth orës 02:00, në fshatin Ratkoc të Komunës së Rahovecit, ka ndezur zjarr me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, përkatësisht të të dëmtuarit R.H. Sipas përshkrimit, i dyshuari ka vepruar gjatë orëve të hershme të mëngjesit dhe, pasi ka kuptuar se po ndiqej nga policia, ka ndezur mjete piroteknike, ka hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit dhe i ka vënë zjarrin objektit përcjellës, duke shkaktuar dëme materiale në mjete pune, goma të veturës, karrige dhe gjësende të tjera.

I pandehuri ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh që nga data 21 dhjetor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa pritet vendimi i gjykatës lidhur me kërkesën për paraburgim.

Lajme të ngjashme