Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për drejtorin e “VisaMetric”
Prokuroria e shtetit ka paraqitur në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për drejtorin e “VisaMetric” S.O., (shtetas turk).
Kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e sotme, e cila pritet të filloj së shpejti.
Këtë e ka konfirmuar për gazetën Nacionale zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se Prokurorja e Shtetit, pranë Gjykatës kompetente ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, sipas KPRK-së”, ka thënë Ulaj.
Para disa dite pronari i kësaj kompanie është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes, ndaj të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore, derisa iu bëjmë të ditur se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.” – thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Nacionale me një seri shkrimesh kishte vënë në pah keqpërdorimet që bënte VisaMetric ndaj qytetarëve.