Prokuroria e Prizrenit nis hetime për dyshime për falsifikim të votave edhe në Suharekë
Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka iniciuar hetime lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë.
Në kuadër të hetimeve janë intervistuar 72 persona të dyshuar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 19 prej tyre janë ndaluar për 48 orë, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të vendosë për masat e mëtejme procedurale, duke theksuar përkushtimin për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimin e ligjit.