Profesori Krasniqi: Për qeverinë Kurti nuk është e rëndësishme mirëqenia e qytetarëve dhe imazhi i shtetit
Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka reaguar ndaj Qeverisë Kurti, duke i përmendur disa nga gjërat që kanë ndodhur gjatë qeverisjes.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për Qeverinë e Kosovës e rëndësishme është që shumica është e lumtur me ta, dhe jo mirëqenia e qytetarëve e imazhi i shtetit.
Ai tutje ka thënë se më të lumturit me gjendjen në Kosovë janë ata që jetojnë në diasporë.
“Mësuesve/arsimtarëve qeveria Kurti nuk ua dha 50 euro. Policisë nuk pranon t’ua japë shtesat, as sigurimin shëndetësor. Nxënësit mezi i kanë marrë librat. Studentët në universitete publike pothuajse pa libra. Pensionistëve nuk na e kanë ngritur pensionin për asnjë cent. Shoferët vuajnë gazep nëpër rrugë. Besimtarët të premteve falen në cement. Kosova është nën sanksionet e BE-së. Ama me rëndësi është që shumica është e lumtur me qeverinë Kurti. Kjo ka rëndësi, jo mirëqenia e qytetarëve e imazhi i shtetit. P.S. Më të lumturit me qeverinë Kurti e me gjendjen në Kosovë janë ata që jetojnë në diasporë.” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.
