Profesori i UP-së reagon pas shkarkimit të rektorit Sahiti - NACIONALE

Profesori i UP-së reagon pas shkarkimit të rektorit Sahiti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Profesori i UP-së, Blerim Rexha, e ka komentuar shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti.

Profesor Rexha ka theksuar se veç shkarkimi i Rektorit nuk mjafton për ri-mëkëmbjen e Universitetit të Prishtinës.

“Dje Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtines shkarkoi rektorin Prof. Dr. Naser Sahiti – veprim që rrallë, shumë rrallë e shohim në universitetet europiane. Por, si u krijua kjo frymë kundër rektorit nga Senati i Universitetit të Prishtines (organit më të lartë akademik) – ku kryesues i vet Senatit është rektori? Ky Këshill Drejtues është reflektim dhe derivat i këtij Senati, dhe i njëjti Senat para dy viteve zgjedhi Prof. Dr. Naser Sahitin, si kandidatin më meritor për udhëheqjen e universitetit. Në zgjedhjet e fundit të Këshillit Drejtues, në qershor, ish rektori nuk arriti të luante rolin e pritur nga ai, unifikues dhe bashkëpunues me fakultetet, duke përçarë Senatin dhe tentuar krijimin e grupit vetëm të tij. Dhe rezultati i zgjedhjeve të qershorit për Këshill Drejtues i befasoi të gjithë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se nëse qëllimi i vërtetë dhe i sinqertë i këtij Këshilli Drejtues është përmirësimi i përformancës së Universitetit të Prishtinës, do të duhej të bënte edhe dy shkarkime/shpërbërje: (1) të shpërbehet Senati i Universitetit, dhe (2) shpërbërja e Këshillit Drejtues – me një fjali: Universiteti i Prishtinës duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme.

“Tani ka ardhë koha, që në zgjedhjet e reja, të ngritën edhe më tej standardet akademike për tu zgjedhur profesor, anëtar i senatit, dekan, anëtar i këshillit drejtues dhe rektor i universitetit. Këtë ia kemi borxh Universitetit të Prishtinës, ia kemi borxh të ardhmes së fëmijëve tanë!”, ka shkruar tutje Rexha.

Lajme të ngjashme