Profesor Istrefi harron pagën dhe pasurinë e tij, thotë që si mësues del kundër grevës
Aktori dhe profesori në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Shkumbin Istrefi mendon se kërkesat e mësimdhënësve për rroga më të dinjitetshme nuk e arsyetojnë bojkotimin e procesit mësimor.
Duke treguar se ai vetë është mësues, thotë se është dakord për mirëtrajtimin e punëtorve në arsim, mirëpo sipas tij nuk duhet të ketë vend për greva.
“Vetë jam mësues (Profesor në Fakultetet e UP-së), dhe jam dakord që ka shumë vend për përmisime ne trajtimin e punëtorëve të Arsimit nga shteti, në kushte të punës, etj. E poashtu ka nevojë shumë më shumë përmisime të arsimit nga vetë mësuesit e profesorët, por mendoj që greva me ndërprerje mësimi me kërkesën për rritje prej 100 eurove nuk e arsyeton osmbajtjen e mësimit”, shkruan Istrefi në Facebook.
Mirëpo, paga e profesor Istrefit është pakrahasimisht më të lartë se sa mësuesit e shkollave fillore e atyre të mesme. Pasi që ai paguhet thuajse trefish më shumë se sa një mësues, meqenëse paga e një mësuesi fillorist është rreth 420 euro ndërsa rroga e profesorëve universitarë, siç është Istrefi prek shumën nga 1400 euro e sipër.
Megjithatë, Istrefi thotë se do të kishte “mirëkuptuar” forma të tjera të kundërshtimit nga SBASHK-u nëse nuk cënohet mbajtja e mësimit, sepse sipas tij po dëmtohen fëmijët.
"Disi, dëmi që mund të shkaktohet nga greva në fëmijët në relacion me kërkesën (rritje e pages per 100 euro) nuk po me duken masë proporcionale por shumë radikale. Kjo të bën të dyshosh se perveç kërkesës për rritje prej 100 euro, ka edhe shkaqe dhe arsye të natyrave tjera në prapavijë”, shkruan Istrefi
“P.S. Nuk bohen lojna n'kurriz të fëmijeve”, përfundon ai.