Probleme teknike në Facebook, mijëra përdorues raportojnë vështirësi
Facebook po përballet me probleme teknike që penguan funksionimin normal të platformës për mijëra përdorues në vende të ndryshme të botës.
Sipas platformës “Downdetector”, e cila regjistron raportimet për ndërprerjet e shërbimeve digjitale, numri i ankesave u rrit ndjeshëm rreth orës 10:39, sipas kohës lindore të Shteteve të Bashkuara. Brenda një kohe të shkurtër u evidentuan 3.555 raportime, ndërsa pak minuta më herët ishin regjistruar vetëm pesë raste.
Problemet e raportuara përfshinin pamundësinë për t’u kyçur në llogari, vështirësi në përdorimin e funksioneve kryesore, si dhe pengesa gjatë publikimit të fotografive dhe videove. Disa përdorues deklaruan se nuk mund të dërgonin mesazhe as përmes aplikacionit Messenger.
Ndërprerja duket se ka prekur veçanërisht versionin e Facebook-ut për kompjuter, i cili po rezulton i paarritshëm. Platforma është në pronësi të kompanisë Meta.