Prindon Sadriu jep detaje për takimin me Zonjat e Para, thotë se diskutuan për 'fusha të ndryshme'
Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu ku ka marrë pjesë në një pritje të organizuar nga Zonja e Parë e ShBA-së, Jill Biden.
Përmes një shkrimi në Facebook, Sadriu ka thënë se është takuar me disa Zonja të Para nga vende të ndryshme.
“Në margjina të sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kam pasur nderin të takohem me disa Zonja të Para nga vende të ndryshme njohëse dhe jo njohëse. Me një pjesë të tyre ishte hera e parë që takoheshim. Diskutimet tona ishin të fokusuara në gjetjen e fushave të ndryshme të bashkëpunimi, nga adresimi i sfidave globale si ndryshimet klimatike dhe kujdesi shëndetësor deri te promovimi i shkëmbimeve kulturore dhe iniciativave arsimore. Këto biseda rikonfirmuan rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit në skenën botërore.” – ka shkruar ai.
Veç kësaj, ai tha se ka pasur një diskutim edhe me Zonjën e Parë të Ukrainës.
“Përpos takimit më përmbajtësor që kam zhvilluar me Zonjën e Parë të SHBA-vë Dr. Jill Biden, kam patur rastin të zhvilloj një bashkëbisedim të afërt me Zonjën e Parë të Ukrainës znj. Zelenska, të cilës i ritheksova mbështetjen dhe admirimin për punën e saj deri sa përballen me agresionin ushtarak e politik të Federatës ruse.” – tha ai.