Presioni i Gjermanisë, Rashiq: Qeveria e Kosovës do ta heqë ndalesën për mallrat serbe
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, është shprehur i bindur se Qeveria e Kosovës do ta heqë ndalesën për importin e mallrave nga Serbia, e cila po kërkohet me ngulm nga Gjermania.
Ai ka thënë se në këmbim të kësaj tërheqje Kosova do ta marrë sisteme të sofistikuara nga Gjermania, të cilët do të përdoren për kontrolle të mundshme të ngarkesave që vijnë nga Serbia.
“Qeveria e Kosovës sigurisht që do ta heqë ndalesën, edhe pse teknikisht nuk ekziston si e tillë. Ju ndoshta e dini që problemi është i natyrës së sigurisë dhe ju kujtoj sërish se unë shkova në Hamburg para dy muajsh me kryeministrin që t’i merrnim ato sistemet më të sofistikuara nga Gjermania. Ato do të përdoren për kontrolle të mundshme të ngarkesave që vijnë nga anë të ndryshme, për t’u siguruar se nuk ka, do t’i quaja, mjete që mund të përdoren për qëllime të tjera. Do të shfuqizohet me siguri, por kur, në këtë nuk mund ta them”, ka thënë Rashiq për RTK2.