Presidentja Osmani nuk tregon qëndrimin e saj për shamitë në shkolla
Presidentja Vjosa Osmani sot është pyetur në lidhje me qëndrimin e saj për lejimin e vajzave 16-vjeçare me shami të vazhdojnë arsimin në shkollat publike.
Ajo ka folur për ndryshime kushtetuese.
“Sa i përket propozimit që mosha të zbresë tek 16 vjet, në qoftë se kjo çështje lidhet me të drejtën e votës atëherë do të kërkoj ndryshim të Kushtetutës, sepse siç e dini, ky prag është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por çdo ndryshim legjislativ kushtetues përfundimisht do të jetë vullnet i deputetëve të Republikës së Kosovës dhe unë asnjëherë deri më tani nuk e kam imponuar vullnetin tim mbi deputetët, por siç e thashë është shumë me rëndësi që ky bazament kushtetues i Republikës sonë të respektohet”, tha Osmani.
Tutje, Osmani ka përmendur edhe çështjen e laicitetit.
“Kjo Kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Republikës së Kosovës të respektohet ky parim”, tha ajo.
E në fund të deklarimit të saj, Osmani tha se si presidente e vendit do të vazhdojë të kërkojë respektimin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar Kosova.
“Si presidente e vendit do të vazhdoj të kërkoj që të respektohen parimet mbi të cilat është ndërtuar jo vetëm Kushtetuta jonë, por edhe shoqëria jonë si shoqëri progresiste, si shoqëri që i shikon parimet dhe vlerat euroatlantike si fundamentale”, theksoi shefja e shtetit.